
Haemus Review
Founded in Bucharest - 1998
E-mail: asociation.haemus@gmail.com
www.revistahaemus.blogspot.com
Founded in Bucharest - 1998
E-mail: asociation.haemus@gmail.com
www.revistahaemus.blogspot.com
U mbushën dhjetë vjet qyshse na u bë mbarë ta krijonim Revistën Haemus. Ideja për një revistë mbarëkombëtare, në fakt, na pat lindur aty nga viti 1994. I vumë titullin Haemus, sepse kështu e kanë pagëzuar romakët gadishullin tonë. Kjo nuk do të thotë se patëm ndonjë rezervë apo ndrojtje ndaj emërtimit Ballkan. Mirpo meqë revistë jonë shqiptare do të dilte edhe në gjuhë të huaj, e pamë me vend që të huajt t’i grishnim drejtpërdrejt të shihnin edhe këtë përmasë të qytetërimit ballkanas, jo vetëm anën e cunguar nga paragjykimet. Nismën tonë e përkrahën menjëherë personalitete të shquara shqiptare me banim në diasporë, si dhe personalitete të kulturës rumune. Do të përmendja në mënyrë të veçantë arbëreshin e madh Vinçenx Golletti Baffa, që jeton në Gjermani.
Një nga synimet e revistës ka qënë dhe mbetet paraqitja sa më e plotë dhe e paanshme e krijimtarisë shqiptare në gjuhën rumune, dhe anasjelltas. Letërsia jonë njihet pak gjer edhe në një vend mik si Rumania, ku kanë studiuar e jetuar Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli. Lexuesi rumun, - kam parasysh lexuesin e mirëfilltë, të specializuar, - e ka pritur me entusiazëm letërsinë shqipe, si atë klasike, ashtu edhe atë bashkëkohore. Nga ana tjetër, mendojmë se edhe lexuesi ynë ka ç’fiton nga letërsia rumune.
Ajo që të mungon më hidhur në mërgim, sidomos pas një moshe të caktuar, janë miqtë e vërtetë, me të cilët mund të këmbesh dy fjalë të çiltra, të rrahësh mendime e të qash halle. Prandaj Revista Haemus synon gjithmonë që t’i ngjajë një ode burrash virtuale, ku gjithsecili të mund të shprehet haptas, pa paragjykime, të çmallet me shqipen, ta përkryejë gjuhën amtare dhe përfytyrimin që ka për atdheun. Tematika e revistës është mjaft e gjerë, jo megallomane, dhe u detyrohet shumë bashkëpuntorëve tanë të nderuar, që jetojnë anembanë botës.
Nuk duhet harruar se bëhet fjalë për një revistë kulture të mirëfilltë dhe, si e tillë, në kohën tonë nuk mund të presë jehona vigane. Haemus çmohet shumë edhe në qarqe intelektuale evropiane e më gjerë, por këto janë qarqe që dinë të paktën njërën nga gjuhët e materialeve që botohen në Haemus: shqip, rumanisht, e ndonjëherë italisht, frëngjisht, anglisht apo greqisht.
Kopi Kyçyku
Bukuresht, nëntor 2008
Bukuresht, nëntor 2008

