+ Click Here to translate





Siç është njoftuar edhe në shtypin shqiptar, më 12 prill 2006 u formua dhe u jetësua si personalitet juridik me ekzistencë kohore të pakufizuar, Shoqëria Kulturore Shqiptare Haemus, organizatë me të gjitha tiparet e një vatre, ku do të qëndrojë pandërprerë ndezur flaka e shqiptarisë.
Njëkohësisht, duke mbajtur parasysh tolerancën tradicionale të shqiptarit dhe sidomos kontekstin integrues evropian që po përjeton atdheu dhe mbarë kombi ynë, Statuti i Shoqërisë jo vetëm u krijon mundësi të gjera veprimi shqiptarëve etnikë të kudondodhur, por edhe synon të afrojë sa më shumë miq e dashamirës të Shqipërisë, studiues të shqipes, të kulturës e të historisë shqiptare, që ndodhen në Rumani dhe në vende të tjera. Selia qëndrore e Shoqërisë ndodhet në Bukuresht, por nuk ka për të qënë e vetmja, sepse Platforma, Programi, pikësynimet, mënyra e organizimit e gjithçka tjetër, bëjnë të mundur që Shoqëria t’i ketë të hapura dyert anembanë globit, gjithkund ku jetojnë e punojnë shqiptarë. Pra, selitë e degëve të Shoqërisë do të jenë në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Diasporë.

Shoqëria
ka shtëpinë e vet botuese: Librarium Haemus.

Nga biseda me presidentin e Shoqërisë Kulturore Shqiptare Haemus, akademikun Kopi Kyçyku, mësuam se, përveç veprimtarive të shumëllojshme me karakter mbarëkombëtar, zgjidhjes praktike të mjaft çështjeve që lidhen me përtëritjen e vazhdueshme të bashkësisë së shqiptarëve të Rumanisë, ruajtjen e identitetit kulturor të shtetasve rumunë me prejardhje shqiptare dhe të shqiptarëve që punojnë, studiojnë dhe jetojnë në Rumani,qoftë edhe përkohësisht, Shoqëria do të vazhdojë të promovojë kulturat dhe shpirtërimet shqiptare e rumune përmes Revistës Haemus,- numurin i parë i së cilës ka dalë qysh më 28 nëntor 1998, - sidhe botimeve të tjera etj.

Programi i Shoqërisë përfshin hapa konkrete për integrimin sa më të plotë të kulturës sonë në cirkuitet evropiane e botërore; njohjen reale të jetës, mendësisë, specifikës etnike dhe kulturore të pakicave dhe grupeve etnike që jetojnë në Rumani, çka do të lehtësojë mirëkuptimin, tolerancën dhe do të mënjanojë shkallë-shkallë tensionet ekzistuese ose ato që mund të shfaqen në varësi nga gjendja shpirtërore e shoqërisë bashkëkohore; shkëmbimin e informacionit kulturor dhe të qytetërimit mbi dhe ndërmjet pakicave dhe grupeve etnike të hapësirës ballkanike dhe eurojuglindore; grumbullimin e të dhënave të panjohura më parë, që lidhen me konfesionet fetare, me historinë dhe qytetërimin ballkanik e të Evropës Juglindore, sidhe themelimin, - në përputhje me një traditë të hershme paqtuese shqiptare, - të një Qëndre Evropiane të Drejtimit Kulturor dhe të Parandalimit të Konflikteve me karakter etnik, fetar e kulturor etj.

Shoqëria Kulturore Shqiptare Haemus do të ofrojë shërbime të përkthimit në gjuhët shqip, rumanisht, turqisht e italisht dhe do të organizojë kurse intensive për mësimin e përkryerjen e gjuhëve të huaja të vendeve të rajonit etj.
Në vijim të çka përmendëm qysh në fillim, përveç shqiptarëve të mirëfilltë të kudondodhur, apo me prejardhje shqiptare, Statuti i Shoqërisë u jep mundësinë të bëhen antarë të saj edhe personave të tjerë, që e pranojnë statutin e saj dhe që mbështesin realizimin e pikësynimeve të Shoqërisë.

Antarë nderi të Shoqërisë Kulturore Shqiptare Haemus janë dhe do të bëhen personalitetet e kulturës e të shkencës nga vende të ndryshme, pavarësisht nga prejardhja e tyre etnike, të cilët me veprimtarinë e tyre kontribuojnë në lartësimin e prestigjit të Shoqërisë”. Gjthashtu, çdo person fizik apo juridik mund të bëhet antar asocijues i Shoqërisë, po qe se është i një mendjeje me qëllimin dhe pikësynimet e Shoqërisë dhe dëshiron të japë ndihmesë në realizimin e tyre.

Janë të mirëpritur, në radhë të parë vëllezërit tanë të një gjaku dhe institucionet kulturore, artistike dhe botuese të tyre, të bashkëpunojnë në çdo formë të mundshme me Shoqërinë Kulturore Shqiptare Haemus, e cila, ka si kryedetyrë t’ua bëjë të njohura sa më qartë Evropës e botës vlerat e pashtershme qytetëruese, demokratike dhe progresiste të kombit shqiptar.

© HaemusPress

 

This page has been visited 624 times!
Copyright © Haemus.ro 2008 | Web Development: Web Design | Optimizare WebSite: Promovare in Google